Ballina Ndërkombëtare Covid-19 mbyll shkollat, fëmijët e botës detyrohen të punojnë në përpjekje për...

Covid-19 mbyll shkollat, fëmijët e botës detyrohen të punojnë në përpjekje për mbijetesë

0

Teksa si pasojë e Covid-19 u mbyllën shkollat, fëmijët rreth botës u detyruan të shkojnë në punë. Nxënësit po kryejnë punë të paligjshme dhe shpesh të rrezikshme në Indi dhe vendet e tjera në tranzicion, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Çdo mëngjes përpara blloqeve të banesave publike të Devaraj Urs në periferi të qytetit Tumakuru, një tufë fëmijësh shihen në rrugë. Ata nuk shkojnë në shkollë. Në vend të çantave të shpinës ose librave, secili fëmijë mban një thes plastike. Këta fëmijë, nga 6 në 14 vjeç, dërgohen nga prindërit e tyre për të kontrolluar deponitë e mbeturinave të mbushura me xhama të thyer dhe copa betoni, në kërkim të plastikës së riciklueshme. Ata fitojnë disa cent në orë dhe shumica nuk mbajnë doreza ose maska. Shumë prej tyre nuk kanë këpucë dhe kryejnë punën e tyre zbathur, me këmbë të gjakosura.

Në mars, India mbylli shkollat për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe Rahulit 11 vjeçar iu desh të shkonte në punë. “Unë e urrej atë”, shprehej ai.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të zhvilluara debatojnë për efektivitetin e shkollimit në internet, qindra miliona fëmijëve në vendet e varfëra u mungon kompjuteri ose interneti dhe nuk kanë fare shkollim. Puna e fëmijëve është vetëm një pjesë e një katastrofe globale që po afron. Uria e rëndë po i ndjek fëmijët nga Afganistani në Sudanin e Jugut. Martesat e detyruara për vajzat dhe trafikimi i fëmijëve, sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, po rriten në të gjithë Afrikën dhe Azinë. Punëtorët e ndihmës në Kenia thanë se shumë familje po dërgojnë vajzat e tyre adoleshente në punë seksuale për të ushqyer familjen. Në Indonezi, djem dhe vajza të moshës 8 vjeç pikturohen në argjend, për t’u kthyer pamjet e tyre si statuja të gjalla që kërkojnë lëmoshë. I tillë është rasti me 14 vjeçaren, Surlina nga kryeqyteti indonezian. Ajo e lyen veten me argjend për t’i ngjarë një statuje dhe qëndron në një pikë karburanti me dorën e shtrirë për para. Nëna e saj është shërbëtore dhe babai i saj shiste skulptura të vogla para se pandemia ta linte pa punë. Në fund të çdo dite ajo ia jep fitimet nënës së saj, e cila i furnizon me ngjyrë, atë dhe dy vëllezërit e motrat e saj, 11 dhe 8 vjeçar.

“Nuk kam zgjidhje”, tha Surlina. “Kjo është jeta ime. Familja ime është e varfër. Çfarë tjetër mund të bëj?” Ajo ndonjëherë përpiqet të lexoj nga një libër pune në klasën e gjashtë por e ka të vështirë leximin. “Kjo më bën të trullosem dhe askush nuk më ndihmon”, tha Surlina. “Unë thjesht heq dorë.”

Fëmijët e moshës shkollore në Indi tani po kryejnë të gjitha llojet e punëve, nga përgatitja e cigareve dhe grumbullimi i tullave deri te servirja e çajit në shtëpitë publike. Pjesa më e madhe e këtyre punëve është e paligjshme dhe e rrezikshme. Në një vend ndërtimi pranë Gaya, një qytet në Bihar, 12 vjeçari Mumtaz dhe vëllai i tij 10 vjeçar Shahnawaz, përballen me ngarkesa të mëdha zhavorri. Shahnawaz kujton kur ngriti një kovë në majë të kokës. Këmbët e tij të dobëta gati u mbërthyen. Ai i nxori sytë fort dhe dukej sikur do të qante. Rreth tij qëndronin burra sa trefishi i moshës së tij, të cilët vetëm e shikonin. “Kam dhimbje koke”, tha Shahnawaz. “Nuk mund të fle natën. Trupi më djeg.”

Vëllai i tij i madh duket se ka parë një të ardhme të re të vetes. “Kam frikë se edhe nëse shkolla hapet përsëri, unë do të duhet të vazhdoj ta bëj këtë, për shkak të borxhit të familjes,” tha Mumtaz. Shumë nga prindërit e intervistuar thanë se ishin nën një presion të jashtëzakonshëm për të vënë në punë fëmijët e tyre të papunë. “Ne kemi nevojë për pagat e tyre”, tha Mohammad Mustakim Ansari, një murator i papunësuar, i cili njëkohësisht është babai i Mumtaz dhe Shahnawaz. “Pa ta, nuk do të isha në gjendje të bëja bashkë as dy shujta ushqimi”. /KultPlus.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu