Ballina Kosove Avdullah Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër?

Avdullah Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër?

0

Humbësi i zgjedhjeve të 2017’ës, Avdullah Hoti, mund të dalë përsëri i pari i partisë në garën e ardhshme elektorale. Të dielën, Kryeministri në largim pritet të raportojë para kryetarëve të Degëve të LDK’së. Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka thënë se Hoti mund të jetë sërish i nominuar për Shef të Qeverisë.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka mbajtur mbledhje, ku është diskutuar rreth zgjedhjeve. Nënkryatari i LDK’së, Haki Rugova, ka thënë për Express se nuk kanë diskutuar për emra të përveçëm, ndërsa ka pohuar se Avdullah Hoti mund të jetë sërish kandidat për Shef të Qeverisë.

Rugova tha se Hoti nesër do t’ua paraqes planin për shkuarjen në zgjedhje kryetarëve të degëve, të cilët do të informohen detajisht për rrugën që do të ndiqet në përpjekjen për të dalë sa më mirë nga zgjedhjet që po vijnë.

“Nesër Z. Hoti së bashkë me një ekip do t’ua paraqes kryetarëve të degëve idetë për zgjedhjet. Sot nuk është diskutuar për emra. Sot kemi folur më shumë lidhur me çështje të përgjithshme, se si duhet të paraqitemi… Nuk ka ndonjë emër të përveçëm. S’është përmendur asnjë”, tha Rugova.

Kryetari i Istogut tha se vetë s’pretendon të jetë njëri nga opsionet për kandidat të LDK’së për kryeministër, por tha se e ka një emër të cilin e favorizon. Këtë emër tha se do ta paraqes në mbledhje kur do të diskutohet kjo çështje.

“Unë do të bëj perpjekje ta çojë deri në fund mandatin si kryetar i Istogut. E kam një emër favorit për kryeministër, por nuk do t’ua them. Atë do ta paraqes në mbledhje kurdo që do të diskutohet”, tha ai.

Edhe ish-ministri Lumir Abdixhiku, sipas Rugovës mund të jetë kandidat për kryeministër.

“Po edhe ai mund të jetë. Mund të propozohet, s’është e ndaluar. Por s’e kemi diskutuar”, tha Rugova.

LDK’ja duhet t’i dijë mirë qëndrimet e kandidatit të ardhshëm për kryeministër, vlerëson Rugova, i cili ka frikë se mund të kenë ndonjë kandidat për kryeministër që më vonë s’do t’i bindet qëndrimeve të partisë.

“Duhet ta dimë se si do të jenë qëndrimet, sepse po na dalin diku tjetër dhe po punojnë kundër interesave të partisë. Kjo s’u ndodh partive tjera”, tha Rugova.

Nënkryetari i LDK’së beson që pasnesër mund të mbahet mbledhja e radhës, ku mund të vendoset për kandidatin me të cilin ky subjekt politik do të garojë në zgjedhje.

Pas mbledhjes, edhe Kryeministri Hoti tha se për dy-tri ditë do të mësohet emri i kandidatit për kryeministër.

“Besoj për dy-tri ditë do të dalim edhe me emrin e kandidatit. Nuk mund të flas për emra të përveçëm, për askënd, përfshirë edhe vetën time, pa u përmbyllur diskutimet”, tha Hoti.

Gjykata Kushtetuese të hënën vendosi ta çojë vendin në zgjedhje, duke e shpallur të zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese Qeverinë Hoti. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre nga Presidenti, pozitë që përkohësisht po ushtrohet nga Vjosa Osmani.

Të martën dhe të mërkurën, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani u konsultua në Presidencë me përfaqësuesit e kampeve politike për të rënë dakord për datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kryeministri Hoti, ndërkaq, tha se e respekton vendimin e Gjykatës, thjesht duke kërkuar të mos shpërnahet Kuvendi para se të miratohet ligji i buxhetit të vitit të ri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu