Ballina Kosove Flet profesori: Ja pse Albin Kurtit i lejohet kandidimi, ky është gabimi...

Flet profesori: Ja pse Albin Kurtit i lejohet kandidimi, ky është gabimi i Kushtetueses

0

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili edhe e rrëzoi Qeverinë Hoti, ka ngjallur shumë reagime në Kosovë.

Pika e cila thotë se u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë të kandidojnë për postin e deputetit prek edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, pasi Apeli ia ishte vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018.

“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjera në aktgjykim.

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Unë nga pikëpamja juridike nuk mund ta gjykoj dhe as interpretoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të së martës së shkuar, sepse kjo nuk është e mundur as për juristët jashtë kësaj gjykate. Kushtetuta e njeh vetëm Gjykatën Kushtetuese si të vetmin institucion që shqyrton, gjykon, interpreton dhe vendos për përshtatshmërinë juridike me dokumentin themelor të shtetit. Por kjo është njëra anë. Ana tjetër e çështjes lidhet me vlerësimin social-politik të vendimeve të kësaj gjykate, kur vendimet e saj kanë të bëjnë me çështje politike dhe sociale e jo me krime dhe akte të tjera antiligjore që krijojnë rrezik për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës”, thotë Bytyçi.

E vendimin i cili i prek edhe Kurtin, Bytyçi e quan vendim politik.

“Nga kjo pikëpamje mendoj se vendimi për të ndaluar kandidimin e Albin Kurtit për deputet të Kuvendit të Kosovës është një vendim politik. Madje konsideroj se ii politizuar dhe me prapavijë është edhe vendi për ta shpallur jo legjitime qeverinë Hoti, ndonëse ajo ishte dhe mbetet e tillë. Por kur sheh shtojcat e atij vendimi për të kufizuar lirinë e drejtueseve kryesorë të partive më të mëdha politike për kandidime politike, atëherë të shkon mendja se vendimi për rrëzimin e zotit Hoti është marrë për balancë me vendimin shtesë kundër zotit Kurti”, shprehet Bytyçi.

“Unë vazhdoj të besoj se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka lidhje me kreun e Vetëvendosjes, edhe pse duket se e atakon atë. Kjo për faktin se Zoti Kurti është dënuar për akte politike dhe për krime ordinere. Si dhe për faktin se dënimi i tij është dhënë me kusht dhe jo me heqje të lirisë. Pra vendimi i gjykatës kundër Albin Kurtit është vendim parandalues i akteve të tij të mëparshme në parlamentin e Kosovës. Dënimi me kusht do të thotë paralajmërim dhe jo dënim. Do të thotë se nëse autori, personi I caktuar, në rastin konkret zoti Kurti, e përsërit të njëjtin veprim, atëherë ai merr dënim me heqje lirie. Nuk ka interpretim tjetër dënimi me kusht”, thekson më tej profesor Bytyçi.

Ai shton se në rast se kandidon dhe zgjidhet, Kurtin mund ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese partitë tjera.

“Nëse kryetari I Lëvizjes Vetëvendosje kandidon për deputet dhe regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ai do të votohet më 14 shkurt. Dhe nëse një ose disa subjekte politike e çojnë këtë në Gjykatë Kushtetuese, kjo gjykatë nuk mund ta interpretojë nenin kushtetues dhe ligjin për dënim me heqje lirie, edhe si nen që ndalon ata që janë dënuar me kusht. Janë dy gjëra të ndryshme, ndonëse janë të dyja dënime. Ndërkaq Gjykata Kushtetuese duhet të përmbahet nga disa vendime, të cilat mund të shkaktojnë trazira sociale dhe politike në vend. Nëse nuk përmbahet kjo gjykatë, atëherë duhet menduar se anëtarët e saj janë të ndikuar politikisht. Unë e di se thuajse të gjithë këta anëtarë të Kushtetueses së Kosovës janë emëruar aty me preferencë të posaçme nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Është e ditur se Thaçi emërimet në drejtësi i ka bërë gjithnjë jo vetëm sipas simpative dhe antipative që ai kishte për ta, por edhe me kërkesën për t’u angazhuar në çështje, të cilat i interesonin Hashim Thaçit. Kjo do të thotë se shumica e gjykatësve kushtetues në Kosovë janë produkt dhe shërbëtorë të ish-presidentit të vendit, tani në Hagë”.

Ai shton se Gjykatësit e Kushtetueses nuk mund t’i nënshtrohen edhe më tej Hashim Thaçit.

“Por nëse këta gjykatës bëhen aq përulës ndaj një politikani që tashmë nuk gjendet as si emër në politikën e Kosovës dhe në emër të tij përpiqen t’i hakmerren Albin Kurtit, pikërisht këtë gjë nuk do të doja ta besoja asnjëherë. Por tek ne shqiptarët ndodhin çudirat më të mëdha. Mundet që një gjykatë ose gjykatësit e saj të urdhërohen nga Haga për të votuar rrëzimin e liderit politik të partisë më të madhe ende pa hyrë në garë”.

“Me kushtetutë krerët e partive politike e kanë të drejtën të garojnë. Madje çdo politikan dhe çdo qytetar. Mohimi i garës politike për një politikan është akt i dhunshëm, që së paku bie ndesh me frymën dhe parimet kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në interpretimet e saj nuk mund të bazohet thjesht te një klauzolë ligjore. Detyra e saj është të interpretojë klauzolat ligjore në frymën e kushtetutës dhe të parimeve të saj. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk ka asnjë shans që të përjashtohet zoti Kurti nga kandidimi. Nëse nuk ndodh, atëherë duhet pre supozuar se anëtarët e kësaj gjykate janë kukulla në duart e Hashim Thaçit dhe jo mbrojtës të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu