Ballina Kosove Ja sa ka zbritje në përqindje të fluturimeve dhe udhëtarëve në aeroportin...

Ja sa ka zbritje në përqindje të fluturimeve dhe udhëtarëve në aeroportin e Prishtinës

0

Viti 2020 do të mbahet mend më së shumti për pandeminë COVID-19, e cila përpos që ndikoi në gjendjen shëndetësore të shumë njerëzve jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën ndikoi shumë edhe në pamundësimin e takimit të njerëzve me familjarë e miq nga shumë vende.

Edhe pse që nga paslufta jemi mësuar që çdo verë e dimër të duket edhe më bukur falë ardhjes së bashkatdhetarëve, këtë vit gjithçka ndryshoi.

Bashkatdhetarëve iu pamundësua ardhja, e natyrshëm pati edhe më pak fluturime ardhje-vajtje në kuadër të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës-Adem Jashari.

Nga Aeroporti i Prishtinës kanë bërë të ditur për lajmi.net se deri në fund të muajit nëntor të këtij viti janë realizuar 7 mijë e 440 fluturime dhe pati 974.212 udhëtarë.

Gjatë këtij viti pati afro 50% më pak fluturime dhe udhëtarë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Të dhënat deri në muajin nëntor nuk jepnin fije shpresë se kjo gjë do të ndryshojë në periudhën e festave të fundvitit, por ndodhi e kundërta.

Gjatë muajit dhjetor pati numër të madh të bashkatdhetarëve të cilët erdhën në Kosovë, përmes udhëtimeve me aeroplan, vetura apo autobusë.

Nga data 19 dhjetor 2020 deri me datën 27 dhjetor 2020 në kuadër të Aeroportit të Prishtinës janë realizuar 480 fluturime, kurse nga data 19 deri me datën 23 dhjetor në Kosovë përmes aeroportit kanë hyrë mbi 25 mijë pasagjerë.

“Numri i udhëtarëve gjatë vitit 2019 ishin, 2,373.877 kurse në periudhën janar-nëntor 2020 numri i pasagjerëve ishte 974.443 apo -58%, pa përfshirë muajin dhjetor ”, u tha nga Zyra për Informim e Aeroportit të Prishtinës.

Ndërsa krahasuar me këtë vit, më 2019 në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës pati gjithsej 16 mijë e 38 fluturime.

Ardhja e bashkatdhetarëve natyrisht se ndryshoi edhe vetë ndjesinë e festave të fundvitit, ku vetëm brenda një dite në aeroport u realizuan 56 fluturime, gjë që ngjalli edhe shpresën për përmirësimin e situatës së krijuar nga pandemia.

Gjithashtu nga Aeroporti Adem Jashari, u tha se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të tejkaluar sfidat të cilat janë paraqitur gjatë periudhës së vitit 2020./Lajmi.net/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu