Ballina Kosove Përveç Policisë, edhe Ministria e Drejtësisë mori në shfrytëzim dy vetura të...

Përveç Policisë, edhe Ministria e Drejtësisë mori në shfrytëzim dy vetura të konfiskuara

0

Pesë vetura të cilat janë konfiskuar nga organet e rendit kohë më parë tani janë vënë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Obiliqit.

Kështu ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, e cila funksiononi në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Dy vetura të tipit “Mercedes” i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës, dy vetura të tjera të tipit “Golf” i ka marrë në shfrytëzim Ministria e Drejtësisë dhe një tjetër veturë e tipit “Tiguan” i është dhënë në shfrytëzim Komunës së Obiliqit.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka treguar se njëra nga veturat që i është dhënë Policisë së Kosovës në shfrytëzim ka qenë me vendim të gjykatës.

AAPSK tutje në përgjigje ka thënë po ashtu se përveç këtyre pesë veturave për t’u dhënë në shfrytëzim nuk ka pasur ndonjë kërkesë tjetër nga ana e institucioneve apo agjencive të tjera.

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale dhe dispozitat e tjera ligjore në fuqi si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të KGJK, KPK si dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, bazuar në kërkesat të cilat parashtrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe pasi që vendimet gjyqësore kanë arritur plotfuqishmërinë i jep në shfrytëzim veturat e konfiskuara institucioneve të Kosovës të cilat do të shfrytëzohen për nevojat e tyre.

Në një intervistë për KALLXO.com, ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, kishte treguar se veturat që janë konfiskuar nuk mund të regjistroheshin dhe se të njëjtat do t’i jepeshin Policisë në shfrytëzim.

“Sa i përket automjeteve, fatkeqësisht, shumica e automjeteve të konfiskuara janë automjete false që nuk munden me u shit sepse s’mund të regjistrohen. Shumica e automjeteve që kemi janë false, s’mund i regjistrojmë prandaj duhet me ia dhënë Policisë së Kosovës për me i shfrytëzu për nevoja të tyre të masave të fshehta e të vëzhgimit”, kishte thënë ministri Selimi për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte raportuar për veturat e konfiskuara e të sekuestruara nga AAPSK e të cilat janë dhënë në shfrytëzim për institucionet e Kosovës.

Në vitin 2016 KALLXO.com kishte raportuar për një veturë të tipit “BMW”, e cila ishte konfiskuar me vendim të gjykatës pasi kishte qenë e përfshirë në një vepër penale. E njëjta “BMW” ishte dhënë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës.

Dhjetëra vetura luksoze të cilat dyshohet se janë përfshirë në vepra penale janë konfiskuar e sekuestruar nga organet e rendit dhe janë vendosur në një depo të makinave të sekuestruara në fshatin Llukar.

Këto makina varësisht prej kërkesave dhe vendimeve të gjykatave jepen në shfrytëzim për institucionet dhe agjencitë të cilat funksionojnë në Kosovë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu