Ballina Kosove Vëllai i heroit Sali Çekaj i dërgon letër publike kryesisë së LDK-së:...

Vëllai i heroit Sali Çekaj i dërgon letër publike kryesisë së LDK-së: Vepruat për interesa të atyre që janë në Hagë

0

Vëllai i heroit kombëtar Sali Çekajt, Smajl Çekaj, në një letër publike ka dërguar si mesazh në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, letër në të cilën e shpreh pakënaqësinë e tij lidhur me zhvillimet e fundit.

Ai thotë se Sali Çekaj ishte i pa ekuivok në përkrahjen e Rugovës, nuk i pranonte as lojërat e Qeverisë Bukoshi, teksa thotë se LDK-ja e sotme nuk po i thyejnë marrëveshjet e rugovizmit.

Çekaj kritikon kryesinë e LDK-së, duke thënë se për interesa të tyre të ngushta e gjithashtu edhe për interesa të atyre që janë në Hagë, nuk pati unitet brenda partisë.

Vëllai i Sali Çekajt bën thirrje që tash në momentet e fundit të lëshohet rrugë nga Isa Mustafa dhe të gjejnë një mundësi që ta rikthejnë Vjosa Osmanin në parti, para se ajo të fillojë zyrtarisht me iniciativën qytetare.

Letra e tij e plotë:

Të nderuar drejtues të LDK-së, Kryesi, Këshillë i Përgjithshëm, Kuvend dhe Anëtarë të thjeshtë anë e kënd botës,

Ka vite e vite që heshtim, dhe presim me durim të madh se në Shtëpinë e Madhe të kombit, të themeluar nga arkitekti i saj, por edhe i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjërat do të kthehen në rrjedhën e nisjes së tyre, ku parimet e lirisë, demokracisë dhe barazisë janë të shenjta, jo vetëm në raport me atdheun, jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe përbrenda shtetit tonë, dhe në këtë rast edhe brenda partisë sonë.

Besojmë se nga këto tri parime filloi ndërtimi i shtetit tonë, nga presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, bashkëthemelues të LDK-së, Fehmi Agani, Xhemail Mustafa, Enver Maloku etj., të cilët ia dolën bashkë me miqtë ndërkombëtarë dhe me ndihmën e luftës të na nxjerrin në dritë, ta arrinim çlirimin e Kosovës. Ishte ky bashkëpunim, në besim, në dashuri të mirëfilltë për atdheun, që çoi edhe në krijimin e grupeve të para guerile, në Shqipëri, duke krijuar forcën e parë frymëzuese ku bartës i saj u bë familjari ynë, Sali Çekaj, duke pasur për bashkëpunëtorë të ngushtë edhe heronjtë Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e të tjerë.

Pra, Rugova ishte i qartë edhe në relacion me nevojën e bërjes së luftës, por në kohën e duhur, me njerëz të duhur dhe në bashkëpunim, para së gjithash me miqtë tanë amerikan, por gjithsesi në konfidencialitet të plotë, dhe pa e trazuar politikën paqësore. Shumë gjëra nuk rrodhën as atëherë si i dëshironte Rugova. Shumë veta, qoftë për protagonizëm, qoftë për motive të tjera, filluan t’i thyejnë parimet e marrëveshjeve të mirëbesimit. Ndërkohë, krahu i majtë ishte i vendosur ta luftonte pa pushim rugovizmin, duke gjetur mbështetje gjithnjë e më shumë, edhe tek Qeveria, që gjithsesi duhej t’i bindej sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kaçanikut, presidentit Rugova. Kjo u bë e qartë edhe me ndërprerjen antikushtetuese (dhe gjithesesi antimorale e antinjerëzore) të financimit të presidentit Rugova, që sipas kompetencave mund ta shkarkonte në çdo kohë Qeverinë.

Por, kishte një problem, kjo qeveri e kishte nën kontroll të plotë fondin e 3 %, sikur të ishte prone private! Madje ka dyshime se me ato para u financuan kundërshtarët e Rugovës! Këta kundërshtarë, që më vonë do të njihen edhe me emrin e ‘komandantëve’ të Rognerit, me paratë e mbledhura do të gjejnë mundësi për ekzekutimin e mbështetësve të institucioneve të Republikës, si kolonelin Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes. Sot disa nga ta gjenden në Hagë, të tjerët mund t’i bashkohen vitin që po vjen, për ta zbardhur të vërtetën për këto krimee.

Salihu ynë ishte i pa ekuivok në përkrahjen e Rugovës, nuk i pranonte as lojërat e Qeverisë Bukoshi. Me durim, por me veprime të pandalshme, pavarësisht pengesave edhe në terrenin e luftës, derisa u flijua për Atdhe, nuk hoqi dorë nga liria, pavarësia dhe që nënkuptonte bërjen e Kosovës, pas lufte, vend demokratik! Si i tillë bashkë me Agim Ramadanin ishin frymëzuesit kryesor në Betejën e Koshares, ku u thye përgjithmonë kufiri shqiptaro-shqiptar i vendosur nga Jugosllavia. Pikërisht atë demokraci, atë ideal për të cilin u flijuan heronjë e dëshmorë, martirë e madje breza të tërë, nuk po e gëzojmë qe më se 20 vite në Kosovë, nga ata që e pengonin luftën, unitetin dhe me këtë edhe suksesin. Asnjë vrsje politike e zbardhur nga Qeveritë e drejtuara nga LDK-ja, as në ato ku ajo ishte pjesë! Tash këtë demokraci nuk po e gëzojmë as në LDK! Jemi dëshmitarë të dështimeve të vazhdueshme në zgjedhje, nga thuaja e njëjta udhëheqje. Që kur vdiq Rugova, LDK-ja më kurrë nuk ka fituar në asnjë palë zgjedhje nacionale. Për këto dështime askush nuk ka dhënë llogari, ndërsa për zgjedhjet e fundit, kur për herë të parë LDK e kishte në dorën e saj fitoren, e lëshoi, dhe humbi ngushtë, por pavarësisht kësaj, u ndëshkua me përjashtim Vjosa Osmani! Tash priteni dëmin!

Në vend se të kërkonit unitet, por në vlera jo për të vazhduar monopolin dhe sundimin në LDK, ju vepruat për interesa të një grupi dhe të atyre që ishin dhe ende janë në të gjitha institucionet, dhe për llogari të atyre që përfunduan në Hagë. Prandaj, pas kaq shumë dështimeve është koha për llogaridhënie, gjakftohtë, duke lëshuar rrugë ata, që kanë më së shumti përgjegjësi për këto humbje, dhe që në krye të LDK-së, të vijnë figura, që do të na rikthejnë në vendin meritor.

Këtë potencial e ka LDK-ja, por nuk duhet ta ngulfasim atë. Madje përderisa ende as Vjosa Osmani nuk e ka zyrtarizuar nënshkrimin e marrëveshjes për koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, mendojmë se ka ende pak kohë, për t’i ndryshuar gjërat për të mirë! Pra, të nderuar ne shansin e vetëm e shohim, tek demokracia e brendshme partiake, liria e brendshme partiake dhe tek barazia brenda saj! Lëshojini rrugë pajtimit, mirëkuptimit dhe vlerave demokratike, vlerave Rugoviane, në emër të të cilave aq shumë edhe është abuzuar! Urime festar e fund vitit dhe gëzuar Shqiptar kudo që jeni. Me respekt në emer të familjes së heroit Sali Çekaj – vllau Smajl Çekaj. 28.12.2020. Ludwigsburg.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu