Ballina Lajme Prapaskenat e hakmarrjes së Berishës ndaj Ilir Rusmalit, nga bllokimi i përgjimeve,...

Prapaskenat e hakmarrjes së Berishës ndaj Ilir Rusmalit, nga bllokimi i përgjimeve, pasuritë, Gërdeci tek ekstradimi i Izet Haxhisë

0

Nga Adriatik Doçi 

Partia Demokratike vuri dje veton duke përjashtuar Ilir Rusmalin nga gara për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa pranoi Ilirian Celibashin, ish-ministër i qeverisë ‘Rama’ dhe ish-kryetar i KQZ, i propozuar nga PS. Rusmali ka qenë më parë pjesë e qeverisë ‘Berisha’ si zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë.

Rusmali ka qenë gjithashtu kryetar i Komisionit të Ligjeve deri në maj 2013, ndërsa konsiderohet si një ndër juristët më të mirë në vend. Kërkesa për përjashtimin e Rusmalit, e cila u artikulua nga Oerd Bylykbashi, shënon aktin e radhës në fushatën e hakmarrjes së Sali Berishës ndaj Rusmalit, hakmarrje e cila ka nisur 7 vite më parë.

Fillimisht, Berisha e përjashtoi Rusmalin nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2013, duke e larguar nga Parlamenti dhe ndërprerë karrierën politike. Në vijim, Rusmali u përjashtua gradualisht edhe nga strukturat e Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e 2017, Rusmali u la sërish jashtë listës së kandidatëve për deputetë të PD. Po pse Sali Berisha vijon sagën e hakmarrjes ndaj Ilir Rusmalit? Shqiptarja.com sjell në vëmendje katër momente kyçe, ku Ilir Rusmali është pozicionuar kundra Berishës, për çështje shumë delikate.

Në 30 tetor 2012, Ilir Rusmali, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, hodhi poshtë një propozim të qeverisë Berisha për ndryshimin e ligjeve për përgjimet, duke nxjerrë jashtë loje gjykatën. Ligji synonte legalizimin e përgjimeve dhe madje nxjerrjen jashtë kontrollit të këtij procesi sensitiv. Kundër votuan edhe Enkelejd Alibeaj, Arenca Trashani, Luan Skuqi, Paulina Hoti, Ylli Lama, Fatos Hoxha, Ilir Bano, Astrit Bushati, Dashnor Sula dhe Tritan Shehu. Që të gjithë nuk u kandiduan në zgjedhjet e 2013. Më vonë, Berisha ‘amnistoi’ Alibeajn dhe Shehun. Ndërkaq, pro qeverisë u pozicionuan Edi Paloka dhe Gent Strazimiri. Deputetët jo vetëm hodhën poshtë thelbin e ligjit, por edhe e kritikuan publikisht si absurd. Për rrjedhojë, hakmarrja e Berishës nuk vonoi.

Ilir Rusmali, në tetor të vitit 2014, pranoi se krisja me Berishën erdhi për shkak të ligjit për përgjimet. “Propozimi i Prokurorisë ishte defektoz, i cili nuk rrinte dot në kontekstin e ligjit dhe të amendamenteve që ishin paraqitur. Në atë kohë, me vullnet shumë të mirë pozitiv, ne u përpoqëm që t`i jepnim projektligjit cilësitë që i mungonin. Bashkohem me konkluzionet e z.Gumi, se nëse do të kishim pranuar amendamentin që na u servir si i domosdoshëm, sot do të kishim përgjimin si një fenomen masiv në çdo cep të territorit të Shqipërisë dhe ky fenomen do të ishte shumë i vështirë për t’u kontrolluar”, tha ai.

Po gjatë vitit 2012, Komisioni i Ligjeve me në krye Ilir Rusmalin, hodhi poshtë një tjetër propozim të qeverisë ‘Berisha’, për deklarimin dhe kontrollin e pasurive. Propozimi parashikonte fshirjen e emrave të zyrtarëve dhe familjarëve të tyre në deklaratat e pasurisë. Nëse ky propozim do të miratohej, Shqipëria do të zhytej në një terr informativ sa i takon pasurisë së pushtetarëve.

Në 6 prill 2007, Ilir Rusmali, në atë kohë ministër i Drejtësisë, firmosi një dokument sekret, duke garantuar shtetin turk, se shteti shqiptar do të respektonte të drejtat e Izet Haxhinës, nëse ekstradohej në Shqipëri. “…do t’i garantojë personit të ekstraduar garancitë proceduriale të njohura nga pakti ndërkombëtar i OKBS për sa i takon të drejtave civile e politike…”, thuhet në dokument. Ekstradimi i Izet Haxhisë ishte kundër interesave të Berishës, pasi një lëvizje e tillë, çonte në hapjen e dosjes së Azem Hajdarit, për vrasjen e të cilit Berisha ka ndryshuar disa alibi dhe nuk ka pranuar kurrë të dëshmojë në gjykatë. Sot Berisha është në telashe, pasi drejtësia do të vendosë në 9 tetor nëse do ta thërrasë apo jo si dëshmitar.

Në vitin 2007, Ilir Rusmali, në atë kohë ministër i Drejtësisë, u pozicionua kundra ngritjes së fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, ku të akuzuar kryesorë janë Sali Berisha dhe Shkëlzeni. Rusmali pozicionohet kundër Fatmir Mediu në mbledhjen e qeverisë 17 shkurtit 2007. Roli i Rusmalit kundër Gërdecit trajtohet edhe nga ish-presidenti Bamir Topi, në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), duke iu referuar diskutimeve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas shpërthimit.

Bamir Topi shkruan se “Fillimisht ishte propozuar një rapart ushtarak në Bërzhitë, fshat në juglindje të Tiranës, afër Petrelës. Me sa kuptoja nuk ishte pranuar, për shkak të infrastrukturës mbështetëse, që nënkuptonte rrugën e cila ishte e ngushtë për makina të mëdha transporti. Gërdeci, pranë Vorës, ishe vend ideal për përfituesit e këtij biznesi gjigant, ku ishin përfshirë sipas informacionit dhe medias edhe familjarë të Berishës, madje edhe baxhanaku i tij, Muhamed Hoxha, mbeti i vrarë. Përflitet që i biri kishte qenë aktiv qysh në procesin e vendimmarrjes, kur duhej të merreshin mendimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë; madje Ilir Rusmali që drejtonte këtë ministri, kishte dhënë mendim negativ, por çdo gjë u realizua në Këshillin e Ministrave”.

REMOTE_ADDR:[]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu